Kampionati Individual Evropian 2022 Slloveni, 26.03 – 07.04.2022

Thursday, 7 April 2022

Kampionati Individual Evropian 2022 mblodhi gjithsejt 315 shahistë nga 40 vende të Evropës prej të cilëve 254 ishin me tituj. Me sanksionet ndaj shahistëve Rus dhe Bellorus konkurenca për titullin e më të mirit u zbeh por ky ishte një rast i mirë për shahistët e shteteve tjera që ta shfrytëzojnë këtë rast dhe të arrijnë rezultate të mira. Ashtu edhe erdhi në fund. Titullin e më të mirit e mori kryemjeshtri gjerman Matthias Bluebaum (2642) i cili nga 11 ndeshje tuboi 8.5 pikë aq sa kishte edhe kryemjeshtri i Armenisë në vendin e dytë Gabriel Sargissian.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe 4 shahistë kosovarë : IM Nderim Saraçi, FM Endrit Uruçi, Korab Saraçi dhe Fatmir Qorri.

IM Nderim Saraçi startoi me humbje të papritur në xhiron e parë dhe iu desh kohë që të këndellet nga kjo humbje e cila tani ia vështirësonte qëllimin e tij që ishte marrja e normës së dytë për titullin GM. Me 4 barazime rradhazi pothuajse ky qëllim mori fund por fitorja e tij në xhiron e dhjetë kundër kryemjeshtrit hungarez Gergely ishte vëtretë art në veti. Stratoi nga vendi 111 dhe përfundoi në vendin 84 me 6.5 pikë.

FM Endrit Uruçi qëllimi i të cilit në këtë garë ishte norma e parë për titullin IM, në xhiron e parë nuk i erdhi kundërshtari dhe kjo fitore pa lojë bëri që në katër xhirot e rradhës të ketë kundërshtarë të fortë me një mesatare prej 2500 ELO. Tregoi lojë mjaft të mira e sidomos kundër IM slloven Boris Markoja të cilin e mposhti në xhiron e shtatë. Ishte shumë afër qëllimit të tij por në fund i mungoi vetëm një gjysmë pike të cilë ndoshta edhe do ta kishte arritur sikur kundërshtari i tij serb FM Damjanovic (2406) të paraqitej në ndeshjen e xhiros së nëntë. Nuk duam të mirremi me paragjykime se a ishte ky një shkas politik por paraqitja e tij në xhiron e rradhës na bënë të dyshojmë se mosparaqitja e tij kundër Endritit ishte e qëllimshme dhe politike. Mendoj se edhe organizatori në krye me referen kryesore nuk kanë qenë korrekt në këtë rast sepse sipas rregullores në sistemin zviceran nëse shahisti mungon në një xhiro ma nuk ka të drejtë ta vazhdojë garën. Startoi nga vendi 210 dhe përfundoi në vendin 114 me 6.0 pikë.

Korab Saraçi startoi me fitore me rënien e flamurit kundër kryemjeshtrit suedez Blomqvist dhe në 5 xhirot në vijim kishte të bëjë me kundërshtarë me një mesatare prej 2400 ELO. Me fitore në xhiron e fundit kundër IM sllovak Tamas Peternyi (2451) përfundoi me 5 pikë në vendin 208. Stratoi nga vendi 239.

Fatmir Qorri e bëri përvojën e tij të parë në një kampionat të këtij rangu. Me problemet e tij shëndetësore që iu shfaqën gjatë kampionatit arrit t i tubojë 3 pikë nga 9 ndeshje.