Liga e dytë e Kosovës 2022

Thursday, 9 June 2022

Ferizaji dhe Theranda në elitën e shahut të Kosovës

Pas pesë ditë garash të zhvilluara në ambientet e Hotelit Grand Prishtina kanë përfunduar garat e Ligë së dytë të Kosovës në shah.

Në këtë kampionat që u organizua nga Federata e Shahut të Kosovës, pjesëmarrëse ishin 17 ekipe të cilat garat i zhvilluan sipas Sistemit zvicerran me 7 xhiro. Ferizaji me plotë meritë fitoi titullin e kampionit dhe edicionin e radhës do të jetë anëtar i elitës së shahut të Kosovës.

Takimi, Therranda-Vëllaznimi përfundoi me rezultat të barabartë 3:3, një rezultat të cilin askush nuk e kuptoi përpos akterëve të kësaj ndeshjeje. Me këtë pikë të fituar Theranda me 10 pikë, sa pati edhe Sharri, siguroi pjesëmarrjen në elitën e shahut të Kosovës.

Paraqitje shumë të mirë pati edhe Sharri i Dragashit i cili tuboi 10 pikë dhe zuri  vendin e tretë sa pati edhe nënkampioni, por përcaktuese për plasmanin përfundimtar ishin pikët individuale. Ekipi i Vëllaznimit ishte shumë afër suksesit të plotë, por barazimi me Therrandën 3:3 e la larg realizimit të qëllimit për tu inkuadruar në rang më të lartë garash. Por, vendi i katërt me 9 pikë është më se i merituar. Nga ekipet e tjera renditja është reale dhe pa ndonjë befasi.

Gjatë pasditës së sotme, shahistët i vizitoi, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku  dhe përsëafërmi u informua nga Armend Budima, kryetar i Federatës së Shahut të Kosovës për rrjedhën e garave dhe veprimtaritë e tjera të shahut të Kosovës.